Viktor Lami është diplomuar Mësues i gjuhës frënge për shkollat e mesme në vitin 1983, pranë Fakultetit Histori-Filologji, dega gjuhë frënge, në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2008, ka marrë titullin Master of Arts in Special Education pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike, në Lozanë të Zvicrës.
Ka punuar si mësues i gjuhës frënge dhe drejtues në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm (1983 - 2003), si pedagog i pedagogjisë së specializuar dhe përgjegjës i programit të parë të studimit në Pedagogjinë e specializuar sociale, pranë Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në kuadrin e një projekti të qeverisë zvicerane (2003 - 2009), duke fituar kështu një përvojë me vlerë në fushën e pedagogjisë së përgjithshme dhe asaj të specializuar. Ka drejtuar për disa vite shoqatën AMEDA, shoqatë multidisiplinore për fëmijët në vështirësi në Shqipëri (2009 - 2013). Ka drejtuar për një vit QZHPAK Vlorë, qendër e zhvillimit për personat me aftësi të kufizuara (2013 - 2014) dhe ka punuar si mësues i specializuar mbështetës në arsimin e detyruar në kantonin e Friburgut, Zvicër (2014 - 2024).
Ka kryer disa formime të vazhduara në fushën e pedagogjisë së përgjithshme dhe të asaj të specializuar në vende të ndryshme, si: Francë, Zvicër, Kanada.
Është pjesëmarrës dhe referues në disa konferenca shkencore ndërkombëtare mbi aftësinë e kufizuar, si në Universitetin e Shkupit (Maqedoni), në Universitetin e Patras (Greqi), në Universitetin e Barcelonës (Spanjë), në Universitetin e Bernës dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Lozanës (Zvicër).
Ka shkruar disa artikuj mbi arsimin e fëmijëve dhe të adoleshentëve me aftësi të kufizuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Është autor i librit Mësuesi përballë nxënësit me nevoja të veçanta edukative: Konkretisht, çfarë të bëj? (2024), guidë udhëzuese në ndihmë të mësuesve që kanë në klasat e tyre nxënës me aftësi të kufizuara dhe bashkautor i librave Kam shumë gjëra për të thënë... (2010), fletore komunikimi, 55 lojëra për fëmijët që kanë vështirësi në të lexuar (2011), ide aktivitetesh për nxënës të moshës 7-11 vjeç dhe Një orë me... (2013), dëshmi të nënave të fëmijëve me aftësi të kufizuar.
Libri i dytë 4V të rëndësishme në punën e edukatorit dhe mësuesit të specializuar: Vëzhgoj, vlerësoj, vendos, veproj, manual i pedagogjisë së specializuar me ushtrime rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike u botua më 2025.